AlbanianSport.com 22.10.2014 07:25
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit shqiptar, Kupa e Shqipërisë, luan sot ndeshjet e kthimit të turit të parë, ku në fakt nuk pritet ndonjë surprizë e madhe. Kjo sepse të gjitha ekipet e mëdha kanë arritur të hipotekojnë kualifikimin që pas ndeshjeve të para duke regjistruar fitore të thella, ndërsa pjesa tjetër e ekipeve e ka bërë të qartë se nuk iu intereson fare kjo veprimtari dhe pjesëmarrjen e bëjnë sa për sy e faqe.
Përjashtim ka bërë Flamurtari që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola përballë Kamzës, në ndeshjen e parë të luajtur në fushën e kësaj të fundit. Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit vlonjat t’u japin një ultimatum futbollistëve dhe stafit teknik në rast të një dështimi sot, kur Flamurtari të presë Kamzën në Vlorë për të zhvilluar ndeshjen e kthimit.
Në kryeqytet, 13-herë fituesja e Kupës së Shqipërisë, Dinamo, u shpërfytyrua 0-4 nga Apolonia dhe duket se është dorëzuar për ndeshjen e kthimit, pasi ka udhëtuar drejt Fierit me rezervat. Fitoren më të thellë në ndeshjet e para të këtij turi të parë e pati arritur Skënderbeu, që në stadiumin “Besa” të Kavajës shpartalloi me rezultatin 10-1 Himarën e Kategorisë së Dytë, duke e bërë ndeshjen e kthimit më tepër sesa formalitet.
Edhe Partizani ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit pasi mposhti në Fushë-Krujë 3-0, ndërsa me të njëjtat shifra si të kuqtë fituan edhe kushërinjtë e tyre kryeqytetas. Tirana iu imponua me shifrat 3-0 Sopotit.