AlbanianSport.com 27.09.2014 12:37
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të premten dy ndeshjet e para të javës së saj të 6-të dhe Apolonia është mundur minimalisht në Fier, 0-1 nga Kukësi. Ndërkaq, në mbrëmje është luajtur derbi i madh i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit.
Vetë derbi është luajtur pa tifozë, pasi Tirana është ndëshkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me 15 ndeshje pa tifozë. Ndërkohë që të dyja tifozeritë e kanë ndjekur ndeshjen në zona të ndryshme të kryeqytetit, të kuqtë në Laprakë, ndërsa bardheblutë në Stadiumin “Selman Stërmasi”, vetë takimi midis dy rivaleve historike është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Tri takimet e tjera të javës së 6-të të Kategorisë Superiore luhen të shtunën dhe, duke nisur nga ora 16:00, Elbasani përballet në Shkodër me Vllazninë. Ndërkaq, duke nisur nga ora 19:00, Flamurtari pret në Vlorë Laçin, ndërsa Skënderbeu është mysafir në Durrës për t’u ndeshur me Teutën, në sfidën që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë Tirana dhe Partizani, me nga 11 pikë secila, të ndjekura nga Flamurtari, Skënderbeu dhe Kukësi, me nga 10 pikë dhe Vllaznia me 8.