AlbanianSport.com 22.12.2016 09:35
ASNN – Ndeshjet e javës së 18-të që luhen sot, mbyllin fazën e dytë të Kategorisë Superiore. Kukësi i vendit të parë luan ndaj Gjirokastrës për të marrë 3 pikët dhe të shpallet “kampione i dimrit”. Por në Korçë luhet një ndeshje tjetër e rëndësishme. Skënderbeu dhe Partizani kërkojnë fitoren për të forcuar pozitat në renditje dhe të ngushtojnë diferencën me Kukësin. Kështu, Kategoria Superiore luan ndeshjet e javës së 18-të, që përkojnë me mbylljen e fazës së dytë të këtij sezoni.
Në përfundim të këtyre ndeshjeve do të përcaktohet edhe “kampionia e dimrit”. Kukësi i vendit të parë udhëton drejt Gjirokastrës me synimin për të marrë fitoren dhe për të ruajtur vendin e parë në renditje. Por trajneri Gjoka një ditë më parë theksoi se Luftëtari është një kundërshtar i vështirë. Ndaj futbollistët e tij duhet të bëjnë një ndeshje shumë të mirë për të marrë 3 pikët. Një ndeshje të vështirë ka edhe Tirana që luan në Shkodër. Historikisht kjo përballje ka dhuruar emocione dhe spektakël.
Për vetë peshën e rëndë që mbajnë bluzat e këtyre skuadrave, bëjnë futbollistët të hyjnë në fushë me përgjegjësi dhe të prodhojnë një lojë të bukur. Laçi-Teuta dhe Korabi-Flamurtari janë dy sfidat e tjera që do të kërkojnë të marrin maksimumin në përfundim të 90 minutave të luajtura. Këto ndeshje nisin të dyja në orën 14:00. Supersfida e kësaj jave, Skënderbeu-Partizani luhet në mbrëmje, duke nisur nga ora 17:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
“Nëse zbatojmë si duhet detyrat e dhëna nga trajneri Starova, nga Korça do të dalim me tri pikët”, – ka thënë dje futbollisti i të kuqve kryeqytetas, Emiliano Vila. Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje me 32 pikë të barabarta, kundrejt 35 pikëve që ka Kukësi i vendit të parë.