AlbanianSport.com 03.12.2015 11:35
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila i ka luajtur dje 3 takimet e para, luan sonte dy takimet e fundit të javës së sdaj të 14-të dhe duke nisur nga ora 17:00 dhe Skënderbeu pret në Korçë Bylisin, ndërsa po në të njëjtën orë, Tirana është mysafire në Durrës për t’u ndeshur me Teutën vendase.
Kjo ndeshje, që do të luhet në Stadiumin “Niko Dovana”, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Durrsakët mbajnë vendin e 3-të të renditjes së Kategorisë Superiore, me 26 pikë, 3 më tepër Kukësi dhe 6 më tepër sesa sesa bardheblutë kryeqytetas, që kanë zbritur në vendin e 5-të, me 20 pikë.
Java e 14-të e Kategorisë Superiore e ka ngritur siparin të mërkurën, me takimin midis Laçit dhe Vllaznisë, që është fituar nga vendasit me rezultatin 2-0 dhe atë midis Flamurtarit dhe Kukësit, që është fituar nga miqtë me një gol të vetëm. Të dy këto takime u luajtën duke nisur nga ora 14:00.
Ndërsa në takimin e orës 17:00, që u luajt në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, Partizani ka shpartalluar Tërbunin me rezultatin 4-0. Renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Partizani, me 38 pikë, 7 më tepër sesa ndjekësja më e afërt dhe kampionia në fuqi, Skënderbeu, që, sidoqoftë, ka luajtur një ndeshje më pak.