AlbanianSport.com 26.09.2016 10:40
ASNN – Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet ndryshe si Kategoria e Parë, do të luajë sot dy ndeshjet e fundit të javës së saj të parë. Siç dihet, kjo Kategoria, edhe për efekt gjeografik, është ndarë në dy grupe, atë të Jugut, që njihet si grupi B, dhe atë të Veriut, që njihet si grupi A.
Në kuadër të grupit B luhet sot që nis në ora 14:00 në Lushnjë takimi midis skuadrës vendase dhe Tomorit të Beratit, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Takimi i fundit, është ai i orës 16:00, midis Elbasanit dhe Turbinës.
Sikundër është bërë e ditur, në bazë të kontratës së nënshkruar pak javë më parë me Federatën Shqiptare të Futbollit, transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt 3 prej takimeve më të spikatura të çdo jave të Kategorisë së Parë.
Të dielën, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar solli për sportdashësit takimin midis Dinamos dhe Shkumbinit, që u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 2-0, me nga një gol për secilën pjesë loje.