AlbanianSport.com 17.02.2016 07:55
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, do të luajë sot ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve, prej nga do të mësohen edhe 4 skuadrat e fundit që do të vazhdojnë më tej betejën për këtë trofe. Për efekt transmetimi televiziv, 3 prej këtyre ndeshjeve do të luhen pasdreke, ndërsa njëra, në mbrëmje. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin e orës 13:30, midis Kukësit dhe Teutës.
Durrsakët e kanë fituar minimalisht takimin e parë dhe shkojnë në Kukës për të mbrojtur fitoren si dhe duke synuar shënimin e një goli të fushë të huaj, që do t’i çonte ata edhe më pranë finales. Në anën tjetër, Kukësi është finalist i mundur i sezonit të shkuar në Kupë dhe do ta dëshironte këtë trofe, duke qenë se edhe në kampionat ka mbetur prapa në betejën për titull apo për një vend në Kupat e Evropës.
Po në të njëjtën orë, pra, 13:00, nisin edhe dy takimet të tjera, dhe Tirana pret në kryeqytet Flamurtarin, e ndërgjegjshme se edhe barazimi sot i vlen, duke qenë se e ka fituar, ndonëse minimalisht, takimin e parë, të luajtur në Vlorë. Gjithçka është e hapur në duelin tjetër të pasdrekes, pasi Skënderbeu dhe Vllaznia u ndanë me rrjeta të paprekura në Shkodër në ndeshjen e parë çerekfinale dhe skuadra gjysmëfinaliste do të vendoset sot në Korçë.
Vllaznia vjen pas fitores minimale që arriti në Shkodër në kampionat ndaj korçarëve, të ndjekur nga një barazim kurajoz, 1-1, po në fushën e saj ndaj Partizanit. Por shkodranëve do t’u mungojë në stol trajneri Armando Cungu. Problemet që u vërejtën në pushim të ndeshjes së kampionatit në Shkodër ndaj Vllaznisë i kanë kushtuar dy ndeshje larg stolit trajnerit të Vllaznisë.
Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, i mbledhur dje, ka vendosur ndër të tjera, që, për protesta me gjeste dhe fjalë ofenduese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, Cungu të dënohet me dy ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar ne nenin 48/2.a te Kodit të Disiplinës Sportive. Takimi i fundit i çerekfinaleve është ai i mbrëmjes, midis Partizanit dhe Laçit, që do të luhet duke nisur nga ora 17:00.
Përballja në Kupë me Laçit shihet si vendimtare për të ardhmen e trajnerit Agostineli, dhe humbja 0-2 e ndeshjes së parë e vendos në rrezik të madh italianin. Nëse i jepet kohë, ai ndoshta mund ta arrijë suksesin, por në futbollin shqiptar një cilësi si durimi nuk vlerësohet edhe aq. Bashkë me trajnerin, flitet se rrezikon edhe drejtori i përgjithshëm, Dervishi, si njeriu përgjegjës i projektit “Partizani”.
Kupa e Shqipërisë
Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve:
Të mërkurën:
Kukësi – Teuta (0-1) (13:30) (RTSH)
Skënderbeu – Vllaznia (0-0) (13:30)
Tirana – Flamurtari (1-0) (13:30)
Partizani – Laçi (0-2) (17:00)