AlbanianSport.com 06.12.2016 11:40
ASNN – Partizani-Kukësi dhe Flamurtari-Tirana janë ndeshjet që do të ulin siparin e javës së 14-të të Kategorisë Superiore. Në Elbasan Arena, Partizani dhe Kukësi luajnë një sfidë për kreun e renditjes, ndërsa në Vlorë të dy skuadrat vijnë me mungesa të rëndësishme. Kështu, java e 14-të e Kategorisë Superiore do të vazhdojë sot me dy ndeshjet e fundit, Flamurtari-Tirana dhe Partizani-Kukësi, të cilat luhen duke nisur nga ora 17:00.
Dy sfida tepër të rëndësishme këto për kreun e renditjes. Duke parë rezultatet e ndeshjeve të zhvilluara, trajneri i bardhebluve, Mirel Josa, ka kërkuar nga skuadra e tij vetëm 3 pikët. Megjithë mungesat në mbrojtje dhe mesfushë, trajneri i Tiranës, beson se skuadra e tij do t’ia dalë në Vlorë. Ndeshja Flamurtari-Tirana do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Ndërkohë që edhe skuadra vlonjate vuan dëmtime dhe largime në mesfushë.
Një sfidë tjetër e rëndësishme është edhe ajo që do të luhet në Elbasan Arena, midis Partizanit dhe Kukësit. Pas barazimit të Skënderbeut me Vllazninë, rriten shpresat e Kukësit për të synuar vendin e parë. Por përballë skuadrës veriore do të jetë Partizani, tepër i motivuar pasi do të ketë në stadium përkrahjen e tifozëve. Klubi kryeqytetas ka paguar gjobën prej 1 milion lekësh, për dënimin e mbetur 2-javor që kishin tifozët për të mos hyrë në stadium.
Drejt Elbasanit gjithashtu për ta do të ketë autobuzë falas. Kështu rritet përgjegjësia e tifozëve për të qenë sa më korrekt në shkallët e Stadiumit “Elbasan Arena”. Ndërsa trajneri i Kukësit Ernest Gjoka, ka besim në ecurinë e skuadrës së tij. Por duke parë rivalin që ka përballë, thekson se të tre rezultatet janë të pranishme në fushën e lojës për këtë përballje.