AlbanianSport.com 22.10.2014 08:20
ASNN – Sopoti udhëton drejt Tiranës për të zhvilluar sot ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Të besuarit e Gentian Stojkut do të kenë përballë Tiranën e Maganit, e cila në ndeshjen e parë, e cila është luajtur përpara dy javësh në Cërrik, ka fituar 3-0. Dhe në këto kushte, kualifikimi për librazhdasit është i pamundur. Ndaj dhe skuadra do të udhëtojë në këtë ndeshje me mendje tek takimi i së shtunës në Cërrik, teksa në kampionat do të presë Tomorin. Stojku, edhe në këtë sfidë, do t’i japë mundësinë lojtarëve të rinj, të cilët duhet ta bindin trajnerin se janë të aftë për të qenë më pas pjesë e formacionit titullar.
Këtë mundësi disa prej lojtarëve e patën edhe në sfidën e parë, por nuk arritën të bënin diçka të bukur pasi u mposhtën si në lojë, ashtu edhe në rezultat. Lojtarët e formacionit nuk do të jenë të grumbulluar, sepse ata i kanë dhënë provat se kanë potencialin e duhur për të qenë në formacion. Dhe rezultatet e tyre flasin vetë, ndërsa janë në krye të renditjes së Jugut në Kategorinë e Parë, teksa në tre javë kanë grumbulluar 7 pikë. Edhe nga bardheblutë, teksa e kanë arritur kualifikimin që në ndeshjen e parë, duket se do të jetë një ndeshje pa shumë interes. Sakaq ndeshja me Tiranën do të jetë pa tifozë dhe do të luhet sot, duke nisur nga ora 14:00.
Stojku shprehet se ndeshja me Tiranën do të shërbejë dhe njëherë për të provuar ato lojtarë, të cilët pritet të plotësojnë ato kritere që duhet për të qenë pjesë e skuadrës. “Lojtarët, të cilët nuk janë pjesë e formacionit titullar, do të vëzhgohen dhe njëherë me vëmendje nga ana jonë, – ka deklaruar trajneri i librazhdasve. – Dhe nëse do të përmbushin kriteret e kërkuara nga ana jonë, ata do të grumbullohen në formacion. Në ekipin tonë do të luajë në formacion ai që me të vërtetë e meriton dhe ai që jep shpirtin në fushë, pasi ne kemi objektiva të qarta dhe këto objektiva duhen arritur e realizuar.”
“Ndeshja e vlefshme për Kupë do të jetë më shumë një test kontrolli duke pasur parasysh rezultatin e ndeshjes së parë dhe interesin e dobët që ka shfaqur Sopoti për kalimin e këtij raundi në këtë aktivitet”, – ka përfunduar trajneri i Sopotit, Gentian Stojku.