AlbanianSport.com 27.09.2014 09:50
ASNN – Sopoti do të presë sot, në ora 16:00, në sfidën e parë të kampionatit Butrintin, një ndeshje e cila do të luhet në “Nexhip Trungu” të Cërrikut. Janë shfaqur probleme në kampin e librazhdas pasi është larguar edhe sulmuesi brazilian Fernando, i cili ka ikur i zhgënjyer nga Sopoti, pasi ka pasur ankesa për akomodimin. Sepse në një apartament të vetëm jetojnë shumë lojtarë.
Por ky nuk do të jetë një problem për ekipin, pasi trajneri shprehet se është duke punuar me ekipin dhe sulmi është i plotë edhe pa brazilianin. Stojku tregon se është duke punuar mjaft mirë me ekipin dhe se lojtarët janë në formë të mirë e do të japin maksimumin në këtë ndeshje të parë edhe pse është mjaft e vështirë. “Ekipi është formuar mirë, por ka nevojë akoma dhe për shumë punë”, – ka thënë Stojku.
“Kemi një ekip të ri dhe do kohë të arrijë pjekurinë e duhur”, – ka shtuar ai. Ndeshja do të zhvillohet jashtë qytetit dhe ultrasit shprehen se do të jenë të shumtë në Cërrik për të mbështetur ekipin. Unë them se në çdo ndeshje pasi ekipi është i ri dhe ka nevojë për mbështetje. Ndeshjet e Sopotit u vendosën të luhet jashtë për shumë arsye. Po ashtu një arsye ishte dhe policia, që nuk mori përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes.
Kjo pavarësisht faktit se tifozët në Librazhd nuk kanë qënë asnjëherë agresiv ndaj miqve. Futbollistët vlerësojnë kundërshtarin dhe e cilësojnë si të fortë dhe kjo është një arsye që trajneri po i stërvit intensivisht për të mos dështuar. “Skuadra ka marrë formë të mirë, por nevojitet akoma shumë punë, – ka thënë trajneri i librazhdasve. – Ne do të japim maksimumin dhe rezultati që kërkojmë në ndeshjen e parë është fitorja.”
“Duhet ta nisim mbarë sezonin pasi një fitore do ta përmirësonte shumë ekipin. Kemi mbështetjen e duhur nga drejtuesit dhe shpresojmë që do t’ia dalim mbanë”, – ka përfunduar trajneri i Sopotit, Gentian Stojku.