AlbanianSport.com 31.10.2015 21:40
ASNN – Nisja e sezonit ka qenë mbresëlënëse për Sopotin, pasi me shume pak kohë, që patën për t’u stërvitur në grup, arritën të merrnin dy fitore radhazi. Por seria e barazimeve që i pasoi këto fitore tregon se grupi i trajnerit Stojku e ka ulur nivelin e lojës që kishtë dy javët e para. Barazimi i fundit u cilësua si një humbje për librazhdasit, pasi ata luanin dhe në fushën e tyre dhe loja që zhvilluan nuk e kënaqi trajnerin.
Arritën të qëndronin për tre javë në vendin e parë, por tashmë me 8 pikë të grumbulluara nuk gjenden më aty. Stojku shprehet se barazimi nuk na pëlqeu aspak. “Kishim shansin më të mirë të fitonim dhe të mbanim kryesimin, – ka thënë ai. – Shfaqëm disa probleme, por mendoj se janë të rikuperueshme shumë shpejt. Ne dimë që fazën përgatitore nuk e zhvilluam të plotë dhe kjo ka ndikuar në formën fizike të lojtarëve.”
“Kampionati është i gjatë dhe ne kemi shumë shanse të rikuperojmë e të marrim vendin e parë, megjithëse është një mision i vështirë”, – theksoi Stojku. Edhe lojtarët kishin menduar një tjetër rezultat në atë përballje. Sulmuesi Polisi shprehet se barazimi i marrë në ndeshjen e fundit nuk duhej lejuar. “Kishim shumë shanse të shënonim, po ashtu dhe të pësonim gol”, – ka pohuar futbollisti i librazhdasve.
“Duhet që tani të mbledhim forcat dhe të kemi qëndrueshmëri në ndeshjet e tjera, pasi kanë kaluar vetëm katër javë. Kemi një rrugë të gjatë para. Rikthimi tek fitorja do të na bënte shumë mirë dhe shpresojmë ta arrijmë në ndeshjen e radhës në Ballsh”, – ka përfunduar sulmuesi i Sopotit, Polisi.