AlbanianSport.com 18.10.2014 17:15
ASNN – Këtë javë që ishte pushim për shkak të ndeshjeve të ekipit tonë kombëtar me Francën dhe Italinë, Sopoti e ka shfrytëzuar për të zhvilluar një test miqësor me kryesuesit e grupit të Veriut, Mamurrasin. Librazhdasit kanë udhëtuar për në Mamurras dy ditë më parë në një miqësore, e cila ka përfunduar 1-0 për skuadrën vendëse. Miqësorja u zhvillua për të ruajtur formën e ekipit, por u vu re se ekipi Sopotit është duke kaluar një formë jo të mirë pas atyre barazimeve të shumta që ka marrë në kampionat.
Skuadra po vuan krizën e barazimeve dhe po përdoret çdo formulë për të arritur një fitore, e cila pritet të ndodh sa më shpejt në kampionat në mënyrë që Sopoti të vazhdojë të pretendojë për të marrë kryesimin në grupin e Jugut. Në ndeshje ndaj Mamurrasit u testuan edhe disa lojtarë që nuk e kanë shijuar akoma formacionin. Atyre iu dha mundësia që të jepnin gjithçka për t’i dhënë mundësi trajnerit Stojku që t’i provojë më pas në ndeshjen zyrtare ndaj Naftëtarit të shtunën në Kuçovë.
Zërat e tifozëve të thjeshtë, që e kanë ndjekur ndër vite ekipin, thonë se trajneri Stojku nuk po bën zgjedhjet e duhura me lojtarët që po hedh në fushë. Por dhe kjo ka një shpjegim nga drejtuesit, pasi ata nuk janë adaptuar akoma me skemat e lojës që përdor trajneri Stojku për ta bërë fitues Sopotin. Në një sondazh të hedhur në rrjetet sociale është kërkuar mendimi i tifozëve se cili nga portierët duhet të jetë në formacion dhe besimin e plotë të tyre e ka portjeri Joli Leka.
Ekipi këtë javë pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtares është duke e shfrytëzuar me angazhime intensive në përgatitje në mënyrë që të rikthehet në formën më të mirë të mundshme në përballjen me Naftëtarin në Kuçovë. Edhe kjo ndeshje është mjaftë e vështirë për Sopotin, por optimizmi për fitore është mjaft i madh.