AlbanianSport.com 08.12.2014 19:05
ASNN – Sopoti ka fituar në Peqin të shtunën, ndërsa kështu ka marrë dhe kryesimin në grupin e Jugut. Për këtë ka pasur dhe një falënderim publik për të gjithë skuadrën. “Jemi me meritë në vendin e parë dhe atë nuk na e ka dhuruar askush, – kanë deklaruar tifozët e klubit. – Lojtarët së bashku me stafin teknik dhe presidencën kanë bërë maksimumin e mundshëm për të arritur deri këtu. Në fillim trembeshim dhe kishim frikë që nuk do të ndërtohej një skuadër ambicioze dhe e denjë për të përfaqësuar qytetin e Librazhdit.”
“Pa harruar këtu faktorin fushë, ndërsa nëntë ndeshjet e fazës së parë i kemi luajtur në fushë të huaj, – vijon më tej falënderimi i librazhdasve. – Mobilizimi i lojtarëve, korrektesa e presidencës, mbështetja e tifo-grupit “Ultras Sopot” bënë që faktori fushë të mos ndihej as në Cërrik, as në Korçë, as në Kuçovë dhe as në Peqin. Madje as në Ballsh e as në Gjirokastër. Ndoshta duhet të kishim pikë më shumë, por jo gjithmonë fiton më i miri. Kemi luajtur pa frikë përballë skuadra me emër të madh në futbollin shqiptar dhe ia kemi dalë t’i përballojmë me sukses ato.”
“Një falënderim shkon për lojtarët Leka, Koçi, Shtrepi, Lamaj, Ballkoçi, Bello, Hoxha, Duro, Kelmendi, Pinto, Cake, Kastrati, Karaj, Dhima, Lezi, Iljazi, Polisi, Hajdari, Kullolli, Halili dhe Elezi. Një falënderim për trajnerin Stojku, ndihmësin e tij Ceno, drejtorin teknik Binishti, trajnerët e portierëve Vila më parë e tani Baholli. Gjithashtu një falënderim për koordinatorin Bahiti, kryetarët e asamblesë Skura dhe Balla, Bashkinë e Librazhdit, sponsorat. Së bashku do të jemi më të fortë”, – ka përfunduar falënderimi publik për Sopotin kryesues të Jugut.