AlbanianSport.com 25.11.2014 17:05
ASNN – Sopoti i Gentian Stojkut ka bërë një ndeshje të mirë dhe të bukur ndaj Naftëtarit në Kuçovë, atje ku dhe ka fituar 2-1, ndërsa kështu ka marrë kreun e renditjes në grupin e Jugut. Pas kësaj fitoreje, kapiteni i Sopotit, Marildo Lezi, është shprehur mjaft i kënaqur. “Pas Naftëtarit, tashmë e ka radhën Lushnja, – ka deklaruar ai. – Fitoren ia dedikojmë Ultrasve Sopot, të cilët edhe pse ishin të pakët në numër në Kuçovë, sërish na e bënë më të lehtë suksesin dhe na bënë të ndihemi mirë në lojë.”
“Ata na mbështesin në çdo ndeshje, ndaj dhe ne e kemi detyrim që për ta të ngjitemi në Superiore”, – ka shtuar kapiteni librazhdas. Ndërkohë ajo që ka bërë Sopoti në Kuçovë është se ka pasur një skuadër të konsoliduar. Portieri Shtrepi edhe pse nuk ka pasur shumë punë në ndeshjen ndaj Naftëtarit, në ato dy-tre momente të rrezikshme është treguar i kujdesshëm dhe në lartësinë e duhur. Mbrojtja me Ballkoçin, Kelmendin, Lezin dhe Bellon ka treguar një formë shumë të mirë.
Mbrojtësit jo vetëm janë alternuar mirë, por secili prej tyre ka qenë në formë të mirë më shumë se tjetri. Të pakalueshëm nga kundërshtari, ndaj dhe Naftëtari për asnjë moment nuk i është afruar portës librazhdasë. Në mesfushë Kastrati, Dhima, Karaj dhe Pinto kanë shfaqur stabilitet dhe siguri maksimale, ndërsa topat janë shpërndarë lehtësisht në të gjitha krahët e skuadra ka pasur fizionomi të mirë. Në sulm Iljazi e Polisi, ky i fundit ka luajtur vetëm 45 minuta, kanë treguar nivel të kënaqshëm në lojë.
E gjithë kjo e ka bërë Sopotin të fortë, ndërsa i tillë duhet të jetë dhe në përballjen me Lushnjën në Cërrik.