AlbanianSport.com 21.10.2016 18:00
ASNN – Sopoti dhe Dinamo i janë falur pikës së bardhë të 11-metërshave, për të shënuar nga një gol secila dhe për të ndarë nga një pikë në takimin midis tyre, të vlefshëm për grupin B të Kategorisë së Parë.
Kjo ndeshje, që u luajt në Fushë-Krujë, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili do të sjellë të shtunën pasdreke edhe takimin e vlefshëm për grupin A, apo grupin e Veriut, midis Kastriotit dhe Besëlidhjes.
Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka ngritur sot siparin e javës së saj të 5-të, me takimin midis Sopotit dhe Dinamos. Kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u mbyll në barazim 1-1.
Takimi i sotëm, i vlefshëm për grupin B, apo Grupin e Jugut të Kategorisë së Parë, vuri përballë librazhdasit, që mbanin vendin e fundit të renditjes, me vetëm 1 pikë të mbledhur në këto 4 javë, me kryeqytetasit, që kishin grumbulluar 5 pikë.
Dinamo ka qenë më kërkuese në lojën e saj, por vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë ka arritur të fitojë një 11-metërsh, që është kthyer në gol nga Julian Gërxho. Sopoti nuk do të pajtohet me këtë rezultat dhe do të sulmojë më tepër në pjesën e dytë, duke arritur në minutën e 66-të, të fitojë një 11-metërsh.
Është sulmuesi Mirel Çota ai që do të godasë saktësisht dhe do të përshëndesë rrjetën. Mbyllet në barazim 1-1 kjo sfidë, ndërsa të shtunën pasdreke, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë edhe takimin e vlefshëm për grupin A, apo grupin e Veriut, midis Kastriotit dhe Besëlidhjes.