AlbanianSport.com 04.02.2016 18:20
ASNN – Teksa vazhdon të stërvitet në ish-kompleksin Dinamo, Sopoti ka zhvilluar dje ndeshjen e kontrollit dhe duket se situata është pozitive, aq sa është kënaqur dhe trajneri Bozhani. Në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, sulmuesi i Sopotit dhe njëkohësisht dhe kapiteni i kësaj skuadre, Mirel Çota, ka treguar se skuadra është gati për derbin e prefekturës.
“Jemi stërvitur fort gjatë gjithë muajit janar dhe kemi marrë ngarkesën e duhur për ta përballuar me sukses pjesën e dytë të sezonit, – ka thënë ai. – Tashmë duhet të marrim vetëm rezultate pozitive për të treguar se meritojmë të ngjitemi më lart në renditje. Pra të jemi më lart se vendi i katërt. Objektivi kryesor i joni është vendi i dytë, ndërsa në Cërrik kërkojmë të marrim pikë.”
“Kemi fituar në fazën e parë 3-1 dhe kështu shpresojmë të ndodh dhe në këtë ndeshje, – ka vijuar futbollisti librazhdas. – Nuk do të jetë e lehtë, sepse ata do të kenë mbështetjen e tifozëve. Do të bëjmë kujdes të madh, ndërsa unë do të mundohem të shënoj në këtë derbi. Mendoj se kemi një skuadër cilësore, atje ku pavarësisht largimeve me katër afrimet e fundit mendoj se jemi përforcuar”, – ka përfunduar Çota.