AlbanianSport.com 14.01.2015 10:45
Sopoti i Librazhdit, një nga pretendentët për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore nga grupi i Jugut i Kategorisë së Parë, duket se është duke u ndeshur me largime. I pari ka qenë qendërmbrojtësi elbasanas Aldo Bello, i cili edhe për shkak të mungesës së rrogës së muajit dhjetor nuk ka pranuar të kthehet në Librazhd.
Dhe i dyti është një tjetër mbrojtës, Shkëlzen Kelmendi, që duket se i ka dhënë lamtumirën Sopoti. Madje në faqen e “Facebook”-ut të FC Sopotit ai ka shprehur falënderimet e tij për njerëzit e qytetit të Librazhdit, si dhe për ata që mbështesin këtë skuadër.
“Largohem nga Sopoti me përshtypjet më të mira për njerëzit e qytetit të vogël të Librazhdit, si dhe për ata që mbështesin skuadrën e futbollit në veçanti, – ka deklaruar ai. – Ju faleminderit për gjithçka dhe ALLAHU ju dhëntë mirësi. Faleminderit, faleminderit, faleminderit”.
Kelmendi, së bashku me Bellon, ende nuk e kanë bërë të ditur emrin e skuadrës së re. Por në të njëjtën kohë skuadra e drejtuar nga trajneri Gentian Stojku ka pasur dhe afrime. I pari është Kllogjeri i ardhur nga Pogradeci. Pas tij Shkalla që ka luajtur në Kategorinë e Dytë në grupin e Veriut me Vorën.
Por jo vetëm kaq janë edhe tre brazilian, të cilët do të jenë në provë deri në vendimin përfundimtar të Stojkut. Dhe Sopoti ka nisur javën e dytë të periudhës përgatitore dimërore.