AlbanianSport.com 04.11.2014 17:55
ASNN – Sezoni i ri futbollistik deri tani mund të quhet me plot gojë i suksesshëm, sepse në pesë javë kampionati, Sopoti i Librazhdit nuk ka pësuar asnjë humbje. Ka 9 pikë, që kanë ardhur nga dy fitore dhe tre barazime. Ndërkohë që të paktën deri në mesin e muajit gusht askush nuk besonte se kjo skuadër do të mund të ndërtohej dhe do të shkonte më pas drejt objektivit për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
E sot kjo skuadër është në pikë të barabarta me një legjendë të futbollit shqiptar si Dinamo dhe për shkak të golaverazhit është në vendin e tretë. Në javën e parë, Sopoti ka fituar në Cërrik ndaj Butrintit e më pas ka kaluar Luftëtarin në Gjirokastër. Por kanë ardhur tre barazime, fillimisht 2-2 me Dinamon, më pas 0-0 me Tomorin dhe tashmë 1-1 me Bylisin.
“Të mos ishin dy barazimet aksidentale në fushën tonë, ne sot do të marshonim drejt Kategorisë Superiore të qetë, – ka thënë futbollisti i librazhdasve, Polisi. – Ne jemi skuadra e vetme që të 27 ndeshjet e kampionatit do t’i luajmë praktikisht në fushë të huaj, larg shtëpisë. Dhe ky është një minus i madh për ne. Në Cërrik ne nuk e kemi mbështetjen e duhur të tifozerisë sonë dhe kundërshtarët luajnë lirshëm.”
“Nëse do t’i kishim luajtur këto ndeshje në Librazhd të jeni të sigurt që do të ishim në kuotën e 13 pikëve sot”, – ka përfunduar Polisi.