Gjergj Vyshka 31.01.2015 09:35
Tetë lojtarë të afruar nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër dhe Sopoti, një tjetër pretendent për në Kategorinë Superiore, ka zyrtarizuar firmat mbi kontrata. E mira është se skuadra e Gentian Stojkut është përforcuar në të gjitha repartet.
Që do të thotë se është një ekip me organikë të plotë dhe që rrit pretendimet e veta për të qenë në përfundim të sezonit 2014-2015 në elitën e futbollit shqiptar. Sopoti ka afruar portierin bullgar Ferdi Muimiunov.
Më pas mbrojtësit Halim Begaj, Florian Peqini, Arbër Bitincka. Për të vijuar me mesfushorët Ilirjan Çaushaj dhe Gabriele Nezini. E në fund sulmuesit Odeon Bërdufi dhe Kristi Kurti.
Ndërkohë që për të rritur organikën me lojtarë cilësorë, drejtuesit e Sopotit kanë larguar portierët Leka e Shtrepi. Më pas Kelmendin, Halilajn, Kullollin, Pinton, Duron, Muçmatën dhe Iljazin.
Sopoti përgjatë periudhës përgatitore dimërore, të cilën e ka kryer në Tiranë tek ish-kompleksi Dinamo, ka luajtur miqësore me Besën e është mundur 1-2. Ka barazuar me Kastriotin, 0-0, si dhe ka fituar me Erzenin, 2-0.
Por miqësorja e fundit me Mamurrasin, edhe kjo pretendente për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore nga Zona e Veriut e Kategorisë së Parë, teksa ka barazuar 3-3, ka treguar se Sopoti tashmë është pretendente serioze e që duhet marrë në konsideratë nga të gjitha skuadrat në grupin e Jugut të Kategorisë së Parë.