AlbanianSport.com 17.03.2017 10:20
ASNN – Java e 26-të e Kampionatit Kombëtar të Futbollit nis sonte me ndeshjen e parë të saj, atë midis Skënderbeut dhe Kukësit. Kjo ndeshje, që do të luhet në Korçë, do të sillet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
Kukësi mban kreun e renditjes me 51 pikë, dy më tepër sesa korçarët, të cilët ndajnë vendin e dytë dhe të 3-të me Partizanin. Për më tepër, verilindorët vijnë në këtë javë të 26-të pa njohur ende humbje në këto 25 javë të deritanishme, ku kanë marrë 13 fitore dhe 12 barazime.
Edhe Skënderbeu ka korrur 13 fitore, po ka pësuar edhe dy humbje, ndërsa të dyja skuadrat kanë mbrojtjet më të mira në kampionat. Si Kukësi, ashtu edhe korçarët kanë pësuar vetëm 10 gola, por verilindorët kanë shënuar më tepër, 32 gola, kundrejt 26 të realizuar nga Skënderbeu.
Të shtunën pasdreke luhen dy takime të tjera, Korabi-Partizani dhe Laçi-Flamurtari, ndërsa të dielën pasdreke Luftëtari pret në Gjirokastër Tiranën, kurse në mbrëmje, duke nisur nga ora 17:00, Teuta përballet në Shkodër me Vllazninë.