AlbanianSport.com 06.04.2016 15:25
ASNN – Mbrëmë ka nisur faza çerekfinale e Ligës së Kampioneve dhe sot në mbrëmje, në orën 20:45, do të luhen ndeshjet e para të dy çifteve të tjera. Në “Parc de Princes”, skuadra e Paris SG-së do të presë anglezët e Mançester Sitit, ndërsa në Gjermani, Volfsburgu do të presë Realin e Madridit.
Ndërsa mbrëmë, Barcelona ka arritur të fitojë në ndeshjen e parë në “Kamp Nou” ndaj Atletikos së Madridit me rezultatin 2-1. Të parët që kanë kaluar në epërsi kanë qenë madrilenët, me anë të Fernando Torresit, i cili ka finalizuar me sukses një aksion të kryeqytetasve në minutën e 25-të të takimit.
Por 10 minuta më pas spanjolli largohet nga loja me kartonin e kuq, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Në pjesën e dytë erdhi përmbysja e katalanëve me një dygolësh të shënuar nga uruguajani Luis Suarez, në minutat 63 dhe 75 të takimit. Takimi tjetër i mbrëmjes, midis Bajernit të Mynihut dhe Benfikës, është mbyllur me fitoren e vendasve.
Bavarezët iu falën një goli të shënuar nga Arturo Vidal, që në minutën e 2-të të ndeshjes. Por Benfika nuk u dorëzua dhe, në pjesën e dytë kishte mundësi për të barazuar me Jonasit, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund të sfidës dhe gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit.