AlbanianSport.com 05.04.2016 11:05
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve luan sonte dhe nesër ndeshjet e para të 4 çifteve të saj çerekfinale. Sonte, Barcelona pret në fushën e vet Atletikon e Madridit në një derbi spanjoll, ndërsa Benfika është mysafire në Gjermani, për t’u ndeshur me Bajernin e Mynihut.
Liga e Kampioneve luan sonte ndeshjet e para të dy prej çifteve të saj çerekfinaliste, ndërsa dy çiftet e tjera luhen të mërkurën. Midis takimeve që luhen sonte, spikati padyshim derbi spanjoll midis Barcelonës dhe Atletikos së Madridit. Ky duel vë përballë njëra-tjetrës pikërisht kampionen në fuqi e Evropës, Barcelonë, dhe finalisten e mundur të 2014-s, Atletikon e Madridit.
Ndërsa ndeshja e parë do të luhet në “Kamp Nou”, kurse ajo e kthimit në “Visente Kalderon”. Të dyja skuadrat janë përfshirë në një duel edhe në kampionat, ku katalanët kryesojnë me 76 pikë, 6 më tepër sesa Atletiko. Kjo e fundit mban vendin e dytë teksa kanë mbetur edhe 7 javë deri në përfundim të sezonit.
Në takimin tjetër të mbrëmjes, Bajerni i Mynihut pret në “Allianz Arena” Benfikën, në duelin e të dyja skuadrave që kryesojnë bindshëm renditjen në kampionatet përkatëse. Në Gjermani, bavarezët kryesojnë me 72 pikë dhe po sfidohen vetëm nga Borusia e Dortmundit.
Ndërsa akoma më e thellë është epërsia në krye të renditjes e Benfikës në kampionatin portugez, ku, me 70 pikë, është 12 pikë e shkëputur nga ndjekësja më e afërt, Sportingu i Lisbonës. Për këtë arsye, sfidat e sotme premtojnë spektakël.