AlbanianSport.com 12.08.2015 07:55
ASNN – Sonte në mbrëmje, duke nisur nga ora 20:00, do të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, takimi i Superkupës së Shqipërisë për vitin 2015, që këtë edicion do të vërë përballë Skënderbeun dhe Laçin.
Përballja simbolike midis skuadrës kampiones në fuqi dhe fitueses së Kupës së Shqipërisë, do të shërbejë njëkohësisht për të ngritur zyrtarisht siparin e sezonit të ri futbollistik në vend.
Superkupa e vitit të shkuar u fitua nga Skënderbeu, që mundi në finale ekipin e Flamurtarit me rezultatin 1-0, me golin e Nimagës. Korçarët triumfuan edhe në vitin 2013, pasi mundën pikërisht skuadrën e Laçit.
Ata triumfuan 4-3, pas 11-metërshave, duke qenë se 90 minuta u mbyllën në barazim 1-1. Kurbinasit nuk e kanë fituar kurrë këtë trofe, teksa ekipi që ka më shumë Superkupa është Tirana, që ka edhe rekord, me dhjetë të tilla.
Takimi i Superkupës vjen në një periudhë kur kampionia në fuqi, Skënderbeu, është në prag të një tjetër arritjeje historike për futbollin shqiptar. Korçarët kanë arritur, si askush më parë, në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve.
Aty, 5 herë radhazi kampionia e vendit do të përballet me kroatët e Dinamos së Zagrebit, dhe është vetëm dy takime larg fazës së ndeshjeve në grupe të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit.