AlbanianSport.com 14.10.2014 15:40
ASNN – Në një atmosferë tepër të tensionuar, në një stadium të rrethuar me forca të shumta policie, do të luhet sonte ndeshja Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian Francë 2016. Edhe pse tifozët kuqezinj nuk do të jenë të pranishëm në stadiumin Partizani të Beogradit, trajneri De Biazi ka shprehur besimin se futbollistët e tij do të marrin një rezultat pozitiv në këtë sfidë.
Shqipëria do të luajë sot në mbrëmje me Serbinë, ndeshje kjo e treta në grupin I, e vlefshme për eliminatoret e Evropianit Francë 2016. Një ndeshje që përtej emocioneve të futbollit, mbart edhe ankth dhe tension. Tifozët serbë do të jenë të vetëm në stadiumin Partizani të Beogradit, pasi ata shqiptarë e kanë të ndaluar të jenë të pranishëm, për të përkrahur skuadrën kuqezi. Por jo vetëm kaq.
Edhe flamuri kuqezi nuk do të mund të valëvitet në stadiumin e kryeqytetit serb. E megjithatë, futbollistët e kombëtares shqiptare do të luajnë ndeshjen e tyre për të marrë një rezultat pozitiv. Trajneri De Biazi është tepër optimist për skuadrën e tij, teksa ka deklaruar se kërkon tri pikët në Beograd. Kemi ardhur në Serbi për t’u përballur si të barbaratë me skuadrën vendase.
“Vetëm me një rezultat pozitiv mund t’i kënaqim tifozët tanë, të cilët do të na ndjekin nëpërmjet televizorit”, – ka thënë De Biazi. Edhe në këtë ndeshje, trajneri De Biazi do të hedhë në fushë formacionin që luajti ndaj Danimarkës.