AlbanianSport.com 09.11.2016 18:00
ASNN – Ndonëse futbolli do të jetë kryefjalë e së premtes, pasi në mbrëmje do të vijë, duke nisur nga ora 20:45, derbi britanik midis Anglisë dhe Skocisë, në kanalin e dytë të TVSH-së dhe në atë RTSH Sport të platformës dixhitale, do të vijë edhe një sfidë interesante volejbolli.
Bëhet fjalë për duelin e meshkujve midis Partizanit dhe Erzenit, e vlefshme për javën e 6-të të Kampionatit Kombëtar. E shtuna do të flasë e gjitha shqip, pasi, duke nisur nga ora 18:00, vjen takimi Turqi-Kosovë, ndërsa duke nisur nga ora 20:45, vjen përballja e Kombëtares kuqezi me Izraelin.
Të dyja këto ndeshje janë të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 2018. Po të shtunën dhe të dielën vjen edhe akti i fundit i nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP, që do të kurorëzojë edhe zyrtarisht Mark Markezin si “kampion” të këtij sezoni.
Të dielën në mbrëmje vjen në ekranin publik një tjetër sfidë interesante e futbollit evropian, ajo midis Portugalisë dhe Letonisë. Ndërsa të hënën rikthehet volejbolli, me takimin e meshkujve, Farka Volej-Studenti, që vjen në TVSH 2 dhe RTSH Sport duke nisur nga ora 16:00, si me atë të femrave, Partizani-Teuta, që nis në ora 18:00.