AlbanianSport.com 21.04.2015 11:40
ASNN – Luhen sonte ndeshjet e kthimit të dy çifteve të para çerekfinaliste të Ligës së Kampioneve dhe Barcelona pritet të kryejë formalitetin përballë Paris SG-së, ndërsa Bajerni i Mynihut do të kërkojë të përmbysë atë humbje 1-3 të pësuar në ndeshjen e parë, kur të presë sonte në shtëpi Porton.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, luan sonte ndeshjet e kthimit të dy çifteve të para çerekfinaliste, nga ku pritet të dalin edhe dy gjysmëfinalistet e para. Në njërin çift, atë midis Barcelonës dhe Paris SG-së, vendasit pritet të kryejnë formalitetin e kualifikimit, pasi katalanët e fituan ndeshjen e parë të luajtur në Francë, me shifrat 3-1.
Në ndeshjen e sotme, që luhet sonte në “Nou Kamp”, për parizienët rikthehet sulmuesi Zllatan Ibrahimoviç, i cili mungoi në ndeshjen e parë. Ndërkaq, në çiftin tjetër, vëmendja është tek Bajerni i Mynihut, i cili u shtang në Portugali javën e shkuar, duke u mundur 1-3 në Portoja vendase dhe vjen sonte me një mision të vështirë përmbysjeje.
Gjermanët janë cilësuar si favoritë për trofeun e Ligës së Kampioneve këtë sezon, por ajo humbje javën e shkuar, e shoqëruar me dorëheqjen e gjithë stafit mjekësor të skuadrës, ka vënë në pikëpyetje ecurinë e mëtejshme të skuadrës së trajnerit Pep Guardiola në veprimtarinë më të rëndësishme kontinentale të klubeve.
Të dyja ndeshjet luhen duke nisur nga ora 20:45, ndërsa takimet e kthimit të dy çifteve të tjera çerekfinaliste luhen të mërkurën.