AlbanianSport.com 24.02.2015 08:50
ASNN – Sonte luhen dy ndeshjet e para të dy çifteve të tjera të turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve dhe Barcelona është mysafire në Angli, për t’u ndeshur me Mançester Sitin. Në duelin tjetër të mbrëmjes, Juventusi dhe Borusia e Dortmundit përballen me njëra-tjetrën për herë të parë që nga ajo finale epike e 1997-tës, që u fitua nga gjermanët. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, vazhdon me duelet e turit të 16-shes dhe sonte luhen takimet e para të dy çifteve të tjera.
Në atë që është përballja e parë midis këtyre dy skuadrave që nga ajo finale epike e 1997-s, Juventusi pret në Torino Borusian e Dortmundit, duke synuar të mos gabojë në fushën e vet dhe të shkojë në ndeshjen e kthimit në Gjermani me një rezultat pozitiv. Ndërkohë që italianët vijnë në këtë ndeshje si kryesues bindës të Serisë A, duke mos njohur humbje në 21 ndeshje që nga tetori i vitit të shkuar, gjermanët vijnë me formë të karakterizuar nga kontrasti i madh. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop ka patur një formë të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve, por ka qenë krejt e kundërta në Bundesligën gjermane, ku ka flirtuar gjatë gjysmës së parë të sezonit edhe me mundësinë e rënies nga kategoria.
Ndërkaq, në duelin tjetër të mbrëmjes, Barcelona është mysafire në Angli, për t’u ndeshur me Mançester Sitin. Dy skuadrat u përballën në këtë fazë të kësaj veprimtarie edhe sezonin e shkuar dhe Barcelona e fitoi ndeshjen e luajtur në Angli me rezultatin 2-0. Megjithatë, trajneri spanjoll i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini, beson që këtë vit gjërat janë ndryshe dhe shpreson ta udhëheqë këtë skuadër për të parën herë drejt një vendi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Megjithatë, Barcelona shkon në këtë përballje si favorite.