AlbanianSport.com 14.11.2014 07:55
ASNN – Do të jetë sonte miqësorja e luksit. Shqipëria do të luajë në fushën e Francës në orën 20:45, një nga përballjet më prestigjoze të historisë së saj. Trajneri Xhovani De Biazi drejtoi stërvitjen e fundit në stadiumin e Renës dhe besohet se i ka idetë të qartë. Për të qenë i kujdesshëm në mbrojtje, sikundër të gjithë trajnerët e Gadishullit të Apenineve, pritet të luajë me skemën 4-5-1.
Për fat të keq nuk do t’i ketë të gjithë lojtarët që kishte në plan. Të tillë si Kaçe apo Rama do të mungojnë. Përballë është Franca, një nga ekipet më të mirë të botës. “Franca ka fituar 13 vende në renditjen e FIFA-s vitin e fundit dhe tani është në vendin e shtatë. Kjo është shenjë e qartë se puna e Didier Deshampit po jep rezultate”, – ka deklaruar trajneri italian i kuqezinjve.
“Natyrisht, nuk duhet harruar fakti se kur një trajner ka lojtarë të mirë, e ka më të lehtë, – ja vijuar De Biazi, duke folur në prag të ndeshjes së sotme. – Sot Franca ka një grup lojtarësh të rinj, por që tashmë njihen mirë me njëri-tjetrin. Disa vjet më parë, ka pasur lojtarë shumë të mirë, por nuk ishte skuadër. Shembulli më i mirë ishte në Botërorin e Afrikës së Jugut kur u eleminua në mënyrë të pabesueshme.”