AlbanianSport.com 07.10.2016 16:10
ASNN – Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të vijojë me transmetimet sportive dhe sonte, duke nisur nga ora 20:45, do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt sfidën më të spikatur të grupit A, midis Francës dhe Bullgarisë.
Jave e futbollit evropian, e cila ka nisur me ndeshjen e Kombëtares në Lihtenshtejn, si dhe me transmetimin e përballjes Kosovë-Kroaci në RTSH Sport, do të vijojë në Rrjetin e Radio-Televizionit me një ndeshje në ditë përgjatë 4 ditëve të ardhshme.
Sonte, duke nisur nga ora 20:45, transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit sfidën më të spikatur të grupit A, midis Francës dhe Bullgarisë. Franca barazoi me Bjellorusinë në ndeshjen e parë.
Për këtë arsye, ajo do të kërkojë fitoren sonte në shtëpi përballë bullgarëve, që mbajnë aktualisht kreun e grupit me 3 pikë, pas fitores 4-3 në fushën e vet ndaj Luksemburgut në ndeshjen e parë.
Ndërkohë, të shtunën, transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin e vlefshëm për grupin C midis Gjermanisë dhe Republikës Çeke, ndërsa të dielën do të vijë fillimisht sfida midis Ukrainës dhe Kosovës, që nis në ora 18:00.
Më pas është ndeshja e madhe e Shqipërisë me Spanjën, që nis në ora 20:45. Të hënën vjen sfida e grupit A, që vë përballë dy prej skuadrave më të spikatur evropiane, Holandën dhe Francën, ndërsa të martën dueli Slloveni-Angli.