AlbanianSport.com 23.05.2015 16:15
ASNN – Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, luan sonte aktin e saj final dhe Tërbuni e Bylisi do të përballen me njëra-tjetrën për trofeun simbolik të kampiones.
Kjo ndeshje do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 17:00. Në bazë të formulës së paracaktuar, 20 skuadrat e Kategorisë së Parë u ndanë në dy grupe me nga 10 ekipe secila, të cilat u ndeshën me njëra-tjetrën 3 herë përgjatë 3 fazave.
Tërbuni triumfoi në grupin A, apo grupin e Veriut, duke mposhtur sfidën e Besëlidhjes dhe Mamurrasit, ndërsa Bylisi ngadhënjeu në grupin B, duke fituar në ndeshjen e fundit në duelin me Lushnjën në fushën e kësaj të fundit.
Ndërkohë, sonte luhet në kryeqytet, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, edhe finalja e Kategorisë së Dytë, ku Korabi, që ka fituar grupin A, do të përballet për trofeun me Gramshin, që fitoi grupin B të nivelit të tretë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Kjo ndeshje do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 17:00.