AlbanianSport.com 29.05.2015 12:05
ASNN – Kukësi dhe Laçi do të përballen sonte në mbrëmje me njëra-tjetrën në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke synuar të bëjnë të tyren trofeun e dytë të futbollit në vend. Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, luan sonte aktin e saj në final, dhe në fushën e blertë të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” do të zbresin Kukësi dhe Laçi, duke synuar të shkruajnë historinë. Kukësi vjen në këtë finale duke kërkuar të parin trofe madhor në historinë e tij dhe, për më tepër, pasi e ka humbur një shans sezonin e shkuar, kur u mund në finalen e Kupës nga Flamurtari.
Po kështu, verilindorët vijnë pas një tjetër sezoni ku u shpallën nënkampionë të Shqipërisë, për të 3-tin sezon radhazi dhe siguruan gjithashtu edhe vendin në turet eliminatore të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës. Nga ana tjetër, Laçi rikthehet për herë të dytë në këto 3 sezonet e fundit në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke synuar ta fitojë këtë trofe për herë të dytë. Dy sezone më parë, laçjanët triumfuan në finale kundër Bylisit, duke fituar trofeun e parë madhor në historinë e tyre.
Dhe skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran, Armando Cungu, do të synojnë ta përsërisin këtë sukses edhe sonte. Për më tepër, për skuadrën e Cungut, i cili është për herë të fundit në stolin laçjan, pasi ka deklaruar dorëheqjen në fund të sezonit, finalja e sotme paraqet edhe shansin e fundit për një vend në turet eliminatore të Ligës së Evropës sezonin e ardhshëm. Laçi u rendit i 5-ti në Kategorinë Superiore dhe Kupa është shansi i vetëm për të shkuar në Evropë. Në rast dështimi të laçjanëve dhe fitoreje të Kukësit, në Evropë shkon Tirana, e cila u rendit e 4-ta në kampionat.
Sikundër çdo veprimtari madhore, edhe finalja e sotme e Kupës së Shqipërisë, midis Kukësit dhe Laçit, do të sillet për sportdashësit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke filluar me bisedën në studio që nga ora 19:45, e duke vijuar me vetë ndeshjen që nis në ora 20:00, e duke vijuar me ceremoninë e fitueses dhe analizën e finales në përfundim të saj.