AlbanianSport.com 29/09/2019 18:45
ASNN – Përballja midis bardhebluve dhe të kuqve i sheh dy rivalet në pozita të kundërta. Tirana dhe Partizani, do të ndeshen sonte, në takimin që nis orën 19:00, në Stadiumin “Selman Stërmasi” dhe interesimi për këtë sfidë ka qenë shumë i madh. Klubi bardheblu përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se sporteli i biletarisë është mbyllur në orën 15:00, pasi janë shitur të gjitha biletat.
Dyert e stadiumit do të hapen në orën 17:00, për të shmangur radhët e gjata. Ndërkaq, derbi i sotë i sheh të dyja skuadrat të vijnë nga momente jo të mira. Partizani është nën trysninë e pikëve dhe të një ekipi që nuk thyhet prej afro 6 vitesh. E ardhmja e trajnerit Lerda është në pikëpyetje, sepse edhe barazimi do të ishte i rrezikshëm për të. Ai ka patur probleme me dëmtimet dhe një kundërshtar që është shumë më ndryshe se vitet e tjera.
Ndërsa për Tiranën, kjo konsiderohet si prova e së vërtetës. Nëse më parë në kampin bardheblu kanë pasur “alibi” se të kuqtë shpenzonin më shumë apo të tjera gjëra si këto, tani situata është ndryshe. Tirana ka investuar shumë, kërkon titullin dhe është më lart në renditje. Por, ja që edhe Tirana vjen pas një humbjeje me Kukësin që e ka shtuar presionin te Mema dhe skuadra e tij.
“Derbet” lënë gjithnjë pasoja dhe ndonëse trajneri i Tiranës nuk është në të njëjtat pozita me homologun Lerda, sërish derbi paraqitet delikat.