AlbanianSport.com 25.11.2014 07:55
ASNN – Sonte luhen ndeshjet e 5-ta në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, të cilat pritet të plotësojnë edhe më tej tablonë e 16 skuadrave që do të vazhdojnë më tej aventurën e tyre në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të kontinentit. Liga e Kampioneve luan sonte takimet e radhës në fazën e grupeve dhe në grupet E, F, G dhe H, nuk pritet edhe aq përsa u përket skuadrave që kualifikohen për më tej në 16-she.
Në grupin E, ku Bajerni i Mynihut i kualifikuar viziton Anglinë për t’u ndeshur me Mançester Sitin, të 3 skuadrat e tjera janë në valle për biletën tjetër që të çon në fazën tjetër. Akoma më e thjeshtuar është gjendja në grupin F, ku Paris SG-ja, që pret Ajaksin, dhe Barcelona, që viziton Qipron për t’u ndeshur me APOEL-in e Nikozisë, janë kualifikuar për në turin e 16-shes, duke lënë për të diskutuar vetëm vendin e tretë që të çon në Ligën e Evropës.
I vetmi grup ku gjithçka është e hapur, është grupi G, ku Çellsi kryesues me 8 pikë, viziton Gjermaninë për t’u ndeshur me Shalke 04-n, që mban vendin e dytë me 5 pikë, ndërsa Sportingu i Lisbonës, që ka 4 pikë, pret sllovenët e Mariborit, që kanë një pikë më pak. Dhe, së fundi, në grupin H, ku Porto është kualifikuar tashmë, gjithçka është e hapur për të 3 skuadrat e tjera, përsa i përket biletës tjetër që të çon në 16-shin e Ligës së Kampioneve dhe vendit të tretë që e zgjat aventurën kontinentale, por në veprimtarinë tjetër të klubeve, Ligën e Evropës.