Gjergj Vyshka 14.02.2015 16:35
Erjon Tola, përfaqësuesi i Shqipërisë në Kampionatin Botëror të skive, që është duke u zhvilluar në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka pas paraqitjen e tij dinjitoze.
Në Sllallomin gjigant ai ka zënë vendin e 44-tërt mes gati 100 konkurrentëve me kohën totale 2’05”81. Në rrëshqitjen e parë me kohën 1’03”96 është i 41-ti, kurse në të dytën edhe pse ka pasur një kohë më të mirë, 1’01”85, nuk ka mundur të ngrihet mbi vendin e 40-të.
Ndërkohë po në Sllallomin gjigant, Suela Mëhilli nuk ka arritur të kualifikohet për rrëshqitjen e dytë, ndërsa në të parën ka realizuar një kohë prej 1’24”27 duke zënë vendin e 77-të shumë larg pjesës që ka vazhduar garën deri në fund.
Të dy skiatorët tanë, të shtunën dhe të dielën, do të kenë garën e sllallomit special, që është dhe fundi i Botërorit të Kolorados në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.