AlbanianSport.com 20/02/2021 23:55
ASNN – Kevin Qerimi dhe Erjon Tola kanë siguruar vendin në finale të Botërorit. Në sllallomin special të dielën pritet një tjetër rezultat historik nga shqiptarët. Kështu, skitë shqiptare japin të tjera rezultate të mira në Kampionatin Botëror për Të Rritur, që është duke u zhvilluar në Kortina të Italisë.
Kevin Qerimi dhe Erjon Tola do të jenë të dielën në finalen e slallomit special, apo quajtur ndryshe në rrëshqitjen e lirë. Qerimi ka zënë vendin e 19-të në zbritjet kualifikuese me kohën totale 1 minutë, 42 sekonda e 33 të qindtat. 52 sekonda e 51 të qindtat në zbritjen e parë dhe 49 sekonda e 82 të qindtat në atë të dytë.
Kurse Erjon Tola është i 23-ti me kohën e përgjithshme 1 minutë, 43 sekonda e 84 të qindtat. 52 sekonda e 72 të qindtat në zbritjen e parë dhe 51 sekonda e 12 të qindtat në zbritjen e dytë. Ndërkohë Ezio Leoneti nuk ka përfunduar zbitjen e dytë, kurse Vasil Veriga të parën.
Për femra, Kiara Di Kamilo nuk ka arritur të hyjë në finale, ndërsa ka pasur pas dy zbritjeve kohën e përgjithshme 1 minutë, 26 sekonda e 13 të qindtat. Si Leoneti, ashtu edhe Di Kamilo janë dy skiatorë italianë, por që kanë zgjedhur të garojnë për ngjyrat kuqezi.