Gjergj Vyshka 17.02.2017 13:45
Kampionati Botëror i Skive, që është duke u zhvilluar në St. Moritz të Zvicrës, ka nisur keq për Erjon Tolën, pjesëmarrësin e Shqipërisë në tre olimpiada dimërore (“Torino 2006”, “Vankuver 2010”, “Soçi 2014”). Në disiplinën e sllallomit gjigant ai nuk e ka përfunduar rrëshqitjen e parë e për më tepër është skualifikuar.
Dhe, të vetmit, që kanë përfunduar garën ishin Vasil Veriga, që është klasifikuar i 70-ti, me kohën 2’42”58, si dhe Marsel Biçoku, i 71-ti, me kohën 2’45”27. Veriga rrëshqitjen e parë e ka përfunduar në kohën 1’20”13, kurse të dytën në kohën 1’22”45. Ndërkohë Biçoku në të dy rrëshqitjet ka pasur këto kohë, 1’22”72 dhe 1’22”55.
Të paktën deri më tani si Mëhilli e skualifikuar në sllallomin gjigant për femra, ashtu dhe Tola po në sllallomin gjigant për djem janë shumë larg pritshmërive, ndërsa kërkohet prej tyre kapja e normës së kualifikimit për në Lojërat Olimpike Dimërore në “Pjeongçeng 2018”.
Tashmë të katër skiatorët tanë bëhen gati për disiplinën e sllallomit, ndërsa kështu do të marrë fund dhe pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Zvicrës, që në fakt ka rezultuar mirë vetëm për Verigën dhe Biçokun.