AlbanianSport.com 14.01.2017 12:55
ASNN – Një lajm i mirë vjen për klubin korçar në këtë merkato të verës, pasi mesfushori i talentuar i Skënderbeut, Agim Zeka do të vijojë karrierën në Francë, ku do të jetë pjesë e Lilës.
18-vjeçari pritet të transferohet në klubin e njohur francez kundrejt një pagese prej 300 mijë eurosh dhe këtë e konfirmon vetë presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj. Megjithatë, zyrtarizimi nga skuadra e re nuk është bërë ende.
Duke parë potencialin e Zekës, i cili është aktivizuar edhe me Kombëtaren kuqezi të Nën-17-vjeçarëve dhe atë të Nën-19-vjeçarëve, Skënderbeu vendosi të mbajë 20% të kartonit të tij.
Kjo me synimin e mëvonshëm për të përfituar para të tjera nëse ai transferohet në një tjetët ekip. Futbollisti i lindur në Kosovë është aktivizuar pak me ekipin e parë të Skënderbeut, por edhe kaq ka mjaftuar që ai të vihet re.
Agim Zeka fillimisht pritet të jetë pjesë e ekipit të dytë të Lilës, për të fituar përvojën e duhur për futbollin francez. Ndërkohë, klubi korçar po përfiton shuma të mëdha me transferimet e kryera vitet e fundit.