AlbanianSport.com 31.07.2015 21:45
ASNN – Lajme të këqija për Skënderbeun në prag të ndeshjes së kthimit për turin e tretë të Ligës së Kampioneve kundër Milsamit. Trajneri i skuadrës korçare, Mirel Josa nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Renato Arapi. Kartoni i kuq i marrë nga futbollisti në sfidën ndaj Krusejdërs në turin e dytë, i ka kushtuar shtrenjt.
UEFA e ka ndëshkuar Arapin me tre ndeshje pezullim. Dënimi i tij ka nisur nga ndeshja e parë me Milsamin dhe në këtë mënyrë Renato Arapi do të mungojë për Skënderbeun të sfidën e kthimit, por edhe në përballjen e parë të plej-ofit, nëse skuadra korçare arrin të kualifikohet.
Mungesa e lojtarit detyron Josën të gjejë zgjidhje të tjera në mbrojtje ku për shkak dëmtimi mungon edhe Osmani. Kështu, Arapi pezullohet me 3 ndeshje nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s. Vendimi është marrë dje, ndaj tashmë është zyrtare, qendërmbrojtësi nuk do të luajë në ndeshjen e ardhshme kundër Milsamit.
Madje ai do të mungojë edhe në “play-off”, gjithnjë nëse ekipi kualifikohet më tej. Në Korçë shpresonin që penalizmi të mos ishte kaq i ashpër, megjithatë stafi teknik dhe ai drejtues ishin deri diku të përgatitur, pasi masa ishte e pashmangshme. Një mungesë e rëndësishme kjo për Skënderbeun.
Tashmë, Skënderbeu e gjen veten pa dy mbrojtësit Osmani dhe Arapi që do të mungojnë disi gjatë. Pikërisht ai repart difensiv që dukej më i populluari në fillim të sezonit, tashmë është i gjithi në emergjencë. Ndaj në klub ndihen të detyruar që të ndërhyjnë menjëherë në merkato për të afruar një lojtar për këtë rol.
Pasi gjetën refuzimin e Tiranës për huazimin e Ervin Bulkut për ndeshjen e kthimit ndaj moldavëve të Milsamit, emra të shumtë janë lakuar. Vetë presidenti ka sqaruar se do të gjendet zëvendësuesi i Arapit, por të paktën deri dje nuk ka pasur asnjë risi.