AlbanianSport.com 18.05.2016 19:05
ASNN – Skënderbeu e ka mbrojtur me sukses titullin e kampiones në Shqipëri. Skuadra korçare fitoi titullin e 6-të radhazi në Kategorinë Superiore, pasi mposhti në javën e fundit Flamurtarin, me rezultatin 2-0. Fitorja e sotme e çoi Skënderbeun në total prej 79 pikësh të grumbulluara në 36 ndeshje, 5 më shumë se ndjekësja më e afërt, Partizani, që u mposht 1-2 në kryeqytet nga Teuta.
Kukësi mbyll sezonin në vendin e tretë, ndërsa një kategori më poshtë bien Bylisi dhe Tërbuni, dy skuadrat që sapo ishin ngjitur në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kështu, pra, gongu ka rënë dhe nuk ka asnjë surprizë! Kampionati i diskutuar deri në javën e fundit, si rrallëherë në këto vite, prodhon të njëjtin kampion, si në pesë sezonet e shkuara.
Kampionia në fuqi mbetet kampione, ndërsa sfidantja përfundon në tapet. Në Vlorë Skënderbeu bëri detyrën dhe mposhti Flamurtarin vendas me rezultatin 0-2, ndërsa në Tiranë, Partizani, ndoshta edhe nga lajmet që mbërrinin nga Vlora, lëshon terren dhe bë një “njësh-dysh”, nga 1-0 humbet 1-2 në fund me Teutën. Korçarët treguan që në minutat e para të ndeshjes që nuk kishin ndërmend të bëjnë “dhuratë” për Partizanin.
Dhe, në minutën e 8-të, Latifi shënon golin e epërsinë për kampionët në fuqi. Në Tiranë, Partizani iu përgjigj me Sukajn në minutën e 25, që kaloi “të kuqtë” në epërsi dhe zhvendosi vëmendjen e tifozëve në Vlorë, në pritje të surprizës së Flamurtarit, që luante pa asnjë objektiv në këtë ndeshje. Por në Vlorë lajmet e mbërritura nuk ishin ato që prisnin tifozët e Partizanit.
Në minutën e 51-të, Plaku shënon golin e dytë, që u jep më shumë siguri dhe qetësi në lojë korçarëve. Sikur të mos mjaftonte kjo, në kryeqytet durrsakët bëjnë të heshtë Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, kur gjetën golin e barazimit me anë të Lamçes në minutën e 73-të dhe jo gjithçka do të mbaronte këtu, pasi “Djemtë e Detit” gjetën golin e dytë në minutat shtesë të takimit.
Fishkëllima përfundimtare e kampionatit i dha titullin e 6-të radhazi Skënderbeut, të shtatin në histori, ndërsa për Partizanin, pritja “biblike” për titullin që mungon prej 23 vitesh, vazhdon…