ASNN – Presidenti i korçarëve ka deklaruar se e ka një dhuratë tjetër, tashmë në sulm, për trajnerin Josa. “Bosi” i kampionëve është interesuar për të, por frenohet nga kontrata 2-vjeçare me Flamurtarin. Për Skënderbeun, në këtë fund të tregut të lëvizjeve të futbollistëve, pritet dhe një tjetër lojtar. “Sulmues”, ka bërë të ditur vetë presidenti i kampionëve, teksa ka pranuar që mund të bëhet pjesë e skuadrës brenda këtyre ditëve. Kjo lëvizje e shpejtë e Takaj duket se ka ardhur nga ajo se në takimin e parë të këtij sezoni sulmi nuk ka qenë ai që pritet.
Megjithëse “bosi” ka pasur dëshirë të thotë fjalët më të mirat për të gjithë lojtarët e vijës së parë. “Për ne e rëndësishme është funksionimi i grupit”, ka theksuar Takaj, duke treguar ashtu si Josa se sulmi nuk është çështje vetëm e lojtarëve që luajnë në këtë repart, por e të gjithë skuadrës. Duke u rikthyer dhe një herë tek “asi nën mëngë”, Takaj nuk ka pranuar të thotë më tepër se është lojtar i huaj për të cilin ka informacionin e duhur. “Me aq sa kemi informacion kemi të bëjmë me një lojtar që e bën mirë sulmuesin”, – ka theksuar Takaj.
“Kuptohet që nuk do të jetë futbollist brazilian”, është përgjigjur menjëherë “bosi” i kampionëve. Një burim tha se ka qenë trajneri Mirel Josa ai që i ka kërkuar Takajt edhe një lojtar tjetër sulmues, kerkesë të cilën presidenti i korçarëve pritet që t’ia plotësojë trajnerit sa hap e mbyll sytë. Sepse ashtu ia ka plotësuar deri më tani të gjitha kërkesat kryebankinës së Skënderbeut. “Ne jemi ekipi “kampion”, – ka vijuar kreu i klubit korçar. – Madje prej katër kampionatesh. Ndaj, edhe për këtë, të gjitha skuadrat e tjera duan të bëjnë “Skënderbeun”, pasi e kanë kuptuar se ndryshe nuk mund të jenë “kampionë””.
Kështu është shprehur për gazetat sportive të ditës “bosi” i bardhekuqve, Ardian Takaj, ”kopje” të cilën e shikon të pamundur për sa kohë nuk arrijnë të ndërtojnë të tjerët një ekip të këtij niveli. “Skënderbeu është, ndaj dhe e ka më të lehtë se të gjitha ekipet për të qenë dhe një herë tjetër “kampion”, – ka theksuar ai. – Ne jemi ekipi i vetëm në këtë kampionat që në fundin e sezonit jemi në gjendje të flasim për lojtarët që mbeten dhe të tjerët që presim. Mbi të gjitha, Skënderbeu është skuadra e titullit edhe për atë se pjesa më e madhe e lojtarëve e dinë si fitohen titujt “kampion”.”
“Jo vetëm kaq, por ka sjellë në skuader të tjerë që duan të fitojnë titullin e parë me të”, – ka shtuar presidenti i Skënderbeut. Krejt ndryshe nga gjitha herët e tjera, Takaj, kësaj radhe, nuk është nxitur kur është pyetur për titullin e pestë “kampion”. “Ju mendoni se unë kam ndryshuar mendje – tha aty për aty Takaj – mos e shkoni në mendje se ka skuadër tjetër që të jetë kampion edhe për këtë sezon me përjashtim të Skënderbeut. Por nëse unë them se pas javës së shtatë të kësaj faze të parë mund të flasim më tepër se kaq, kjo vjen për atë se më duhet të respektoj edhe ekipet e tjera në garë”.
Pas kësaj jave “vargu” i skuadrave fillon e copëtohet, gjithnjë sipas Takaj, me Skënderbeun në krye të renditjes sigurisht. “Nëse ka ekip që më frikëson edhe për këtë sezon, – tha Takaj, – ky është Skënderbeu”. “Me pak fjalë, – ka sqaruar ai, – ne mund të humbasin, apo barazojmë një ndeshje apo më tepër vetëm nëse nuk jemi në maksimumin tonë”. “Vetëm kjo më bën të mos ndjehem mirë”, – tha më tej kreu i klubit korçar, duke lënë për të kuptuar se kampionët munden vetëm nga vetja dhe nga asnjë skuadër tjetër.
“Të gjithë e kemi parë Skënderbeu në takimet evropiane me BATE Borisovin, ekip që po shkon larg në Ligën e Kampioneve, – ka theksuar Takaj. – Ndaj, duke qenë këtu, më lejoni të them se nëse ka një skuadër shqiptare në këtë nivel atëherë po pranoj se do të jetë ky ekip kampion dhe jo Skënderbeu. Për sa kohë nuk kemi një ekip si BATE, Skënderbeu mbetet ekipi që më frikëson më shumë. Gjithnjë vetëm kur nuk është në ditë të mirë. Por Skënderbeu e ka treguar edhe në Superkupë se çfarë është në gjendje të bëjë edhe në kushte kur nga kthimi nga Austria e deri tek ndeshja nuk ka pushuar as 24 orë”
“Skënderbeu ka 18 lojtarë, të gjithë të gatshëm për ta nisur lojën nga minuta e parë”. Kështu është shprehur Ardjan Takaj, lojtarë të cilët për “Bosin” nuk kanë diferencë me njëri-tjetrin. “Një arsye më shumë kjo, – thotë Takaj, – që Skënderbeu bën diferencën me skuadrat e tjera”. Dhe më kryesorja për Takajn, këtë sezon, Josa ka në përbërje të skuadrës lojtarë, të cilët luajnë në shumë vende dhe kjo nuk ndodh me ekipet e tjera: “Me këtë dua të them se Skënderbeu nuk ka vetëm lojtarët e lojës, por dhe ata të stolit”.
“E thënë ndryshe – ka vijuar Takaj – lojtarët që hyjnë në lojë nuk e bëjnë me “dhimbje” koke trajnerin, pasi të gjithë janë të tillë që bëjnë të njëjtën gjë”. Për herë të parë Takaj ka bërë të ditur se Fortunat është meraku i vetëm për këtë sezon. “Do më pëlqente ta kisha në skuadër”, tha “bosi”, kërkesë të cilën e ka pasur më të madhe pasi e ka parë me vlonjatët në ndeshjen e fituar me durrsakët. Pas kësaj ndeshje, “bosi” i korçarëve është interesuar për kontratën e lojtarit. Por kur ka mësuar se ka firmosur për dy vite për Flamurtarin ka hequr dorë edhe për sezonin tjetër.
Ndërkaq, të gjithë janë në pritje për të parë reagimin e Martines në raport me pjeën tjetër të skuadrës. “Në kushte loje”, – ka theksuar Takaj, i cili ka shkuar më tej kur tha se nëse braziliani shkon ashtu siç duhet atëherë nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit të mënyrës së lojës të skuadrës kampione. Por edhe për Takajn, krahas Martines, pritet për t’u parë më tepër në lojë edhe Markoni, si dhe rikthimi i Ademir, lojtarë të cilët e bëjnë Skënderbeun shumë herë më sulmues. Edhe për atë se të gjithë këta janë ndërtues në lojë, pa thënë se Martines e njeh mjaftë mirë “pasin e fundit”.
Ndaj, nëse braziliani shkon mirë në këtë “pasim”, mund të jetë ai “gjysëm” lojtari i sulmit korçar dhe Sefa në majë. Lëvizje që ndryshojnë krejt lojën e Skënderbeut nga kjo që kemi parë deri tani tek kampionët.