ASNN – Të jesh katër herë radhazi kampion dhe të mos e kesh stadiumin e mbushur plot ky është vërtet shqetësim. Një gjë e tillë ka ndodhur me korçarët edhe një kampionat më parë. Kjo ndeshje e dytë e këtij fillimsezoni ka treguar se stadium edhe kësaj radhe do jetë i zbrazur. Nuk ka ku shkon më keq. Shumë më keq kur në këtë takim të parë të luajtur në “strofull” kanë qenë të pranishëm më pak se asnjë herë tjetër “ujqër”.
Çka tregon se të gjithë janë larguar nga kampionët. Të jenë ngopur kaq shpejt tifozët korçare? Vështirë për t’u besuar një gjë e tillë. Megjithatë kur shikon më tepër korçarë duke parë ndeshjen në lokale se në stadium kjo vërtet të bën të mos ndjehesh mirë. Kjo ka ndodhur këtë javë me tifozerinë korçare. Ndërkohë që Skënderbeu ka shënuar edhe tre pikë të tjera, ka fituar dhe është ngjitur në kuotën e 6 pikëve, ata që kanë zhgënjyer totalisht kanë qenë tifozët në shkallët e stadiumit.
Ndeshjen e Korçës nuk e kanë ndjekur dje më shumë se 2 mijë tifozë, aq pak sa nuk mbahet mend në këto 5 sezonet e fundit që të ketë pasur zbrazje të tillë të stadiumit. Lokalet e Korçës dje kanë qenë të tejmbushura, edhe pse Skënderbeu luante pikërisht në shtëpi. Ndërkohë që çfarë po ndodh me tifozërinë korcare? Mund të themi që ishte vetëm java e parë, por edhe kjo sigurisht që nuk është arsye që të kishte kaq pak tifozë në stadium. Ndoshta kundërshtari, Laçi nuk ishte me emër.
Por edhe ky nuk është justifikim. Mos ndoshta korçarët janë ngopur me trofe? Edhe ky nuk është justifikim, pasi të kesh një super skuadër me kaq emra cilësorë dhe me një objektiv tjetër madhor për të shënuar “pesëshen” e famshme është mëkat që të ndiqet skuadra nga vetëm 2 mijë tifozë. Shoqata e tifozerisë korçare duhet të japë një sqarim në lidhje me mungesën e tifozerisë, ose vetë tifozët duhet të shprehen qartë se pse kur skuadra kampione luan te “dera e shtëpisë” dhe tifozëria është treguar e ftohtë, aq më tepër në ndeshjen debutuese të këtij Skënderbeu.
Tifozeria mungoi në javën e parë në ndeshjen jashtë ndaj Elbasanit, mungoi edhe dje. Atëherë, çfarë po ndodh me “Ujqërit e dëborës”…!?