AlbanianSport.com 19.08.2015 13:30
ASNN – Vetëm një ndryshim në formacionin titullar, do të bëjë sonte Mirel Josa, i cili i beson skuadrës fituese, që e futi Skënderbeun në histori, me kualifikimin për në fazën e “play-off”-it.
Trajneri kryeqytetas i beson skemës me një sulmues, edhe sepse do të ishte vetëvrasje që të luhej vetëm në sulm përballë një emri si Dinamo e Zagrebit. Hamdi Salihi qëndron i vetëm në repartin sulmues, i mbështetur nga kapiteni Shkëmbi në “pult” dhe dyshja Berisha e Latifi nga krahët.
Është pikërisht 21-vjeçari risia në formacion, krahasuar me ndeshjen e fundit të fituar 2-0 me Milsamin. Latifi do të rreshtohet në krahun e djathtë të mesfushës, aty ku luajti Progni, që në “Elbasan Arena” realizoi edhe golin e dytë të korçarëve.
Një zgjedhje kjo e menduar për t’u dhënë më tepër dinamikë manovrave sulmuese, ku shpejtësia e dy lojtarëve të krahut do të jetë në shërbim të nuhatjes së Salihit përpara portës.
Përsa i takon mbrojtjes, përpara portierit Shehi do të rreshtohen Radas dhe Jashanica në qendër, Vangjeli djathtas dhe braziliani Eskerdinja në krahun e majtë. Në qendër të mesfushës, Lilaj dhe Nimaga do të shërbejnë si pengesë, për të thyer aksionet e kundërshtarëve, por edhe për të ndihmuar ekipin të dalë përpara.