AlbanianSport.com 16/09/2018 20:30
ASNN – Skënderbeu është të hënën në mbrëmje mysafir në Vlorë për t’u ndeshur me Flamurtarin, në një takim ku trajneri i korçarëve, Orges Shehi, nuk ka iluzione se çfarë e pret.“Padyshim është një derbi për ne dhe për futbollin shqiptar të dhjetëvjeçarit të fundit dhe jemi të ndërgjegjshëm se na pret një sfidë e vështirë”, – tha ai.
Për trajnerin e kampionëve në fuqi, skuadra ka patur kohën e duhur për t’u përgatitur sa më mirë dhe ai beson se Skënderbeu është gati për ndeshjen me Flamurtarin. Shehi e mirëpret përballjen me ish-trajnerin Ilir Daja, tanimë trajner të vlonjatëve, por thekson se ky është realiteti i tij i ri pas tërheqjes si futbollist.
“Po tani që kam vendosur të bëj trajnerin, është e pashmangshme të mos përballem me ish-trajnerët e mi apo me ish-shokët e skuadrës së janë bërë trajnerë, – thotë Shehi. – Kjo me Dajën është e para në radhë, por besoj se do të ketë edhe shumë, shumë raste përballjesh të tilla.”
Por a është faktori “Daja” në favor të vlonjatëve? “Jo, sepse po ashtu si na njeh ai neve, por ashtu e njohim ne atë, mënyrën sesi e vendos skuadrën, mënyrën sesi luan e kështu me radhë”, – thotë Shehi. Për ish-portierin, rezultatin do ta përcaktojnë një numër faktorësh.
Takimi i fundit i javës së 5-të të Kategorisë Superiore, Flamurtari-Skënderbeu, luhet të hënën, duke nisur nga ora 19:00.