Adriatik Balla 29.07.2015 11:15
Sulmuesi i Kombëtares Hamdi Salihi ishte dhe në këtë tur eliminator të Ligës së Kampioneve hero i Skënderbeut, pasi shënoi dy golat e fitores së skuadrës korçare në takimin ndaj Milsamit. Shkodrani u duk “i mbaruar” në pjesën e parë, pasi ndodhej i shkëputur nga repartet e tjera të skuadrës dhe i vetëm në sulm e pati të pamundur të rrezikonte dhe të depërtonte në mbrojtjen vendase.
Por në pjesën e dytë ai shkëlqeu me veprimet e tij, duke i dhënë qetësinë ekipit me golin e minutës së 49-të dhe entuziazmin me golin e dytë të shënuar nga pika e bardhë e 11-metërshit, në të 73-të. “Jam shumë i lumtur për fitoren dhe besoj se do ta kalojmë këtë tur”, – tha Salihi pas ndeshjes. Kjo fitore bën që Skënderbeu të hedhë një hap përpara drejt kualifikimit për në fazën e “play-off”-eve.