AlbanianSport.com 07.03.2016 15:30
ASNN – Ndoshta duhet të kishte pranuar në heshtje stolin dhe vendimet e trajnerit. Por Sebino Plaku nuk e bëri këtë, duke reaguar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, kundër bindjes së Mirel Josës për të mos i besuar formacionin sulmuesit. “Nuk mund të rri gojëkyçur kur trajneri më etiketon si lojtar alternative. Ky etiketim nuk është profesional”, – ishin fjalët e futbollistit 30-vjeçar, që tani duhet të vuajë pasojat.
Kjo pasi klubi i Skënderbeut, ka pezulluar pa afat lojtarin. Vendimi i është komunikuar skuadrës nga vetë trajneri Mirel Josa në seancën stërvitore të së hënës. Një lajm i keq për Sebino Plakun, që nuk do të jetë në fushë në sfidën e mesjavës kundër Flamurtarit dhe me shumë mundësi edhe në ndeshjet e ardhshme të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Sulmuesi, i cili kishte qenë pjesë e skuadrës korçare edhe në të shkuarën, u kthye te Skënderbeu gjatë merkatos së janarit. Por transferimi i tij te kampionët në fuqi nuk ishte siç e kishte parashikuar. Trajneri Mirel Josa i ka dhënë pak minuta në sfidat e deritanishme, duke i besuar sulmuesve të tjerë. I pazëvendësueshëm ka qenë në fakt Hamdi Salihi.
Ndërsa zgjedhje të para të trajnerit kanë qenë dy sulmuesit e ardhur gjithashtu gjatë merkatos së dimrit, Xhejms dhe Renatinjo. Pikërisht këto zgjedhje nuk i kanë pëlqyer Sebino Plakut, por nga ana tjetër i kanë dhënë të drejtë Mirel Josës, skuadra e të cilin vazhdon të kryesojë renditjen dhe vazhdon rrugën drejt titullit të gjashtë radhazi “kampion”.