AlbanianSport.com 26/05/2018 21:15
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të dielën në mbrëmje aktin e saj final, për të përcaktuar se cila do të jetë skuadra që do të bëjë të vetin trofeun e fituar sezonin e shkuar nga Tirana. Dhe kjo skuadër është Skënderbeu, e cila ka triumfuar me një gol të vetëm ndaj Laçit, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Pasi e ka provuar për plot 5 herë pa sukses, Skënderbeu ia ka dalë më në fund të dielën të fitojë, për herë të parë në histori, trofeun e Kupës së Shqipërisë, duke vulosur në të njëjtën kohë edhe dominimin e plotë të futbollit shqiptar të këtij sezoni ka kjo skuadër, e cila vetëm pak ditë më parë arkivoi edhe titullin e 8-të “kampion”. Në fakt, përtej disa minutave të para premtuese, pjesa e parë e takimit të zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka qenë poshtë nivelit mesatar sa i përket lojës dhe rasteve të krijuara.
Si Skënderbeu, ashtu edhe Laçi, kanë qenë mjaft të kujdesshme në fazën mbrojtëse, duke zgjedhur të mos pësojnë gol më tepër sesa të synojnë portën kundërshtare. Për rrjedhojë, 45 minutat e para do të mbyllen me rrjeta të paprekura, ndërsa ato të dytat do të shohin një Skënderbe më agresiv dhe më kërkues në drejtim të portës kurbinase. Rastin më të mirë do ta ketë në minutën e 52-të Gavazaj, por portieri laçjan, Selmanaj, do të bëjë mrekullinë me daljen e tij, duke shmangur një gol të sigurt.
Megjithatë, golin korçarët do ta gjejnë pas 13 minutash, kur një 11-metërsh i diskutueshëm, i akorduar nga ndihmësit e gjyqtarit kryesor, do t’i japë mundësi Lilajt të godasë saktësisht nga pika e bardhë. Skënderbeu do ta administrojë me sukses epërsinë dhe, përtej një goli të shënuar nga Laçi në minutat shtesë, por që u anullua për pozicion jashtëloje, do ta fitojë finalen 1-0 dhe bashkë me të edhe trofeun e Kupës.