AlbanianSport.com 24/08/2018 19:25
ASNN – Futbollisti: “Kisha shumë oferta, por kjo ishte zgjedhja ime e parë”. Kështu, Realdo Fili është lojtari më i ri i Skënderbeut, i cili ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me ekipin korçar. Lojtari fierak është prezantuar sot ndërkohë që tani ka folur edhe fjalët e para si lojtar i bardhekuqve. “Kam qenë i bindur për t’u bërë lojtar i Skënderbeut dhe ka qenë dëshira ime”, – ka thënë ai.
“Kam vendosur personalisht, – ka vijuar futbollisti. – Formacioni është diçka qe fitohet dhe jam një konkurrues. Sot është dita e parë dhe këtu kam shumë miq e shokë. Më kanë pritur mirë, kam biseduar me trajnerin, me drejtuesit dhe shokët, janë mikpritës. Do ta kem të lehtë të përshtatem. Skënderbeu ka për qëllim të mbledhë lojtarët më të mirë dhe kam mundësi të stërvitem me lojtarë si Bregu dhe të tjerë shumë të mirë.”
“Objektivat personale janë të shumtë, por objektivi kryesor është të ecë ekipi”, – shtoi sulmuesi. Të paktën për dy sezone që ka qenë të Partizani, ekipi e ka kërkuar titullin “kampion”, titullin që i mungon si futbollist. Por ai mendon se këtë gjë do ta arrijë tek Skënderbeu. “Jam këtu për këtë dhe jam shumë i lumtur nëse do e realizoja”, – thotë ai.
“Kam qenë afër me Partizanin por diçka ka munguar dhe shpresoj ta arrij me Skënderbeun”, – ka përfunduar Realdo Fili.