ASNN – Trajneri i i kampionëve kërkon që të mos flasë kaq shpejt për titullin e pestë radhazi: “Për ato momente që kundërshtari na vuri në vështirësi është faji i të gjithë grupit”. Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, edhe pse është fituar ndeshja me Elbasanin nuk ka mbetur i kënaqur me lojën e tijve.
Suksesi e ka bërë të ndjehet mirë, por mënyra se si ka luajtur skuadra në fushë, të paktën në momente të caktuara, e ka bërë kryepankinën korçare që të jetë me “dhimbje koke”. Në konferencën e djeshme për shtyp, Josa ka bërë komente për lojën e Nimagës, që vrapon shumë, por ende nuk është në gjendje të bëjë Orelesin.
Duke komentuar brazilianin Martins, Josa ka kërkuar kohë për të parë dhe gjendjen fizike të futbollistit. Ja dhe intervista e trajnerit të kampionëve për të përditshmen sportive shqiptare“Gazeta e Sportit”.
– Josa i kënaqur me fitoren e javës së parë?
– Çdo fitore më bën të ndjehem mirë, përfshi këtu edhe këtë të javës së parë me elbasanasit. Për atë se një skuadër si Skënderbeu gjithnjë luan vetëm për të fituar.
– Të njëjtën gjë mund të thoni edhe për lojën?
– Këtë nuk mund ta them krejt kështu, pasi për lojën e skuadrës kam rezervat e mia. Lojë që në moment të veçanta të ndeshjes nuk ka qenë ajo që kam pritur nga e gjithë skuadra.
– Fitoren e këtij takimi të parë të sezoni e keni vënë në dyshim?
– Në mënyrë kategorike jo. Por sigurisht që më duhet të them se në tre raste elbasanasit, edhe për fajin tonë, mund të kishin rrezikuar. Një gjë e tillë vërtetë më ka shqetësuar.
– Vapa ka ndikuar në këtë takim?
– Ka pasur një farë ndikimi, por nuk mund të pranoj se ka ndikuar në të gjithë lojën tonë. Gjë të cilën besoj se e pranojnë të gjithë. Në gjykimin tim, takimet e para janë gjithnjë të vështira, diçka më tepër me ekipe të cilat vijnë nga një kategori më poshtë. Sepse janë ekipe të cilat duan të japin maksimumin. Gjë e cila ka ndodhur edh me elbasanasit, të cilët nuk donin të largoheshin pa pikë nga kjo ndeshje.
– Në këtë javë të parë kanë fituar Tirana, Kukësi e Flamurtari. Qoftë dhe nga këto fitore të para, këto tri skuadra bashkë me Skënderbeun janë ekipet e titullit për këtë sezon?
– Është shpejt ta themi një gjë të tillë. Por të tri këto skuadra, bashkë me Skënderbeun, edhe për mua do të jenë ekipet që do të diktojnë këtë sezon. Por unë nuk përjashtoj edhe ekipe të tjera që jam i bindur se janë në këtë kategori për të treguar se janë në gjendje të bëjnë më të mirën.
– Mos të largohemi nga këto katër skuadra?
– Mund të them edhe se janë katër ekipe që kanë investuar shumë për këtë kampionat. Këtë besoj se e pranojmë të gjithë.
– Kjo do të thotë se ky kampionat do të jetë më i fortë se ai i një sezoni më parë?
– Që do të jetë më i bukur këtë e pranoj. Për momentin mund të them vetëm kaq, nisur edhe nga fakti se është luajtur vetëm java e parë e këtij kampionati. Në javët e tjera shumë gjëra jam i bindur se do të ndryshojnë.
– Këtë sezon luajnë lojtarë të tjerë me Skënderbeun. Mendoni se janë bërë pjesë e grupit?
– Unë them se po. Mendoj kështu nisur nga Superkupa, por dhe ndeshjet e tjera të luajtura para këtij takimi. Sigurisht që pres të përmirësohen akoma më tepër, kërkesë të cilën e kam edhe për lojtarët e tjerë, që kanë luajtur jo një, por më shumë sezone me Skënderbeun.
– Nimaga në këtë takim të parë të këtij sezoni?
– Në përqindje të madhe ka shkuar mirë. Është lojtar që vrapon gjatë gjithë lojës, luan mirë me kundërshtarin. Mbetet për t’u parë orientimi i tij në kushte loje.
– Me pak fjalë ndjehet mungesa e Orelesit?
– Kjo është tjetër histori. Duke qenë këtu më lejoni të them se ndryshe nga Orelesi, që luante lehtësisht në krah, Nimaga më tepër është një lojtar i qendrës së mesfushës.
– Martins mund të jetë një nga sulmuesit e Skënderbeut?
– Jemi shpejt për të thënë diçka të tillë. Së pari duhet të shikojmë gjendjen fizike të lojtarit dhe më pas të tregojmë për gjëra të tjera, qoftë dhe për aktivizimin në lojë.
– Ju keni parë kasetat e lojtarit. Për atë çfarë di të bëjë në lojë keni një koment?
– Edhe një herë tjetër mbetëm tek gjendja fizike e lojtarit. Për atë se pa një gjendje të mirë fizike në asnjë rast lojtari, përfshi këtu edhe Martins, nuk është në gjendje të bëjë asgjë nga ato që kërkohet prej tij. Ndaj, për këtë arsye, jam shumë i interesuar për të parë pikë së pari gjendjen e tij fizike. Vetëm pasi ta kemi parë në kushte loje edhe ne kemi mundësi të flasim më shumë për këtë futbollist.
– Sulmi i skuadrës si ka shkuar në këtë takim të parë?
– E kam thënë gjithnjë. E kam vërtetë të vështirë të pranoj se kur diçka nuk shkon në sulmin e skuadrës kjo vjen për fajin e një, apo dy lojtarëve, që luajnë në këtë repart. Sepse unë për gjithçka që nuk shkon “fajësoj” grupin. Të njëjtën gjë mund të them edhe për ato tri raste të elbasanasve, të cilët kanë ardhur më tepër se sa për fajin e mbrojtjes, për atë se në ato momente diçka nuk ka shkuar si duhet në lojën e grupit.
– Më pëlqen të rikthehemi dhe një herë tek skuadrat e titullit. Në grupin e këtyre katër skuadrave që kanë fituar në javën e parë, Skënderbeu është skuadra e titullit?
– Nuk di të më keni dëgjuar dhe herë të tjera të flas kaq shpejt për titullin “kampion”. Por normalisht që me bindje them se Skënderbeu është ekipi më investimin më të madh edhe për këtë sezon në futbollin tonë.
– Më këtë do të thoni se është Skënderbeu edhe për këtë kampionat ekipi për t’u mundur?
– Për sa kohë ne jemi kampionët kështu i bie.
– Takaj gjithnjë është shprehur për titullin e pestë radhazi?
– Nëse e ka thënë një gjë të tillë presidenti kështu do të ndodh atëherë.