AlbanianSport.com 13.02.2016 19:50
ASNN – Kur është luajtur afro 60 % e sezonit futbollistik në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, kampionia në fuqi, Skënderbeu ka nisur ndjeshëm shkëputjen pas javës së 21-të të Kategorisë Superiores, pasi ka mundur me lehtësi Tërbunin në “Qemal Stafa”, me rezultatin 3-1 dhe duke përfituar nga ndalimi i Partizanit në barazimin 1-1 në Shkodër, në minutën e fundit, është shkëputur me 4 pikë në krye të renditjes.
Korçarët zhvilluan një ndeshje me një drejtim ndaj debutuesve të Tërbunit, që vetëm pas 10 minutash lojë iu dorëzuan golashënuesit më të mirë të kampionatit, Hamdi Salihi. Shkodrani u “thirr në apel” edhe për golin e dytë të takimit, në minutën e 62-të. Gjashtë minuta nga fundi, braziliani Renatinjo i çoi shifrat në 3-0, ndërsa goli i Jovanoviç për pukjanët në minutat shtesë shërbeu vetëm për statistikë.
E ndërsa korçarët e siguruan fitoren lehtësisht, Partizani me shumë vuajtje mundi të merrte vetëm 1 pikë ndaj Vllaznisë së ringjallur. Të kuqtë shkuan të parët tek goli me Stefan Raçiç dhe për shumë minuta arritën të administronin lojën, por të besuarit e Cungut befasuan në skajet e kohës me një gol nga Dibra. Ndërkohë, po rrëshqet gjithnjë e më shumë Kukësi, që nuk arriti të përfitonte as me faktorin fushë ndaj Teutës.
Ishin pikërisht durrsakët që shkuan të parët te goli me Shkallën, në minutën e 6-të. Kuksianët barazuan në të 14-n me Eminin dhe që nga ky moment dominuan takimin. Erik Flores i bëri shifrat 2-1 në minutën e 74-t, por një autogol i portierit Koçi në minutën e 86-të i hoqi mundësinë të besuarve të Klodian Duros për të bërë rrokadën në klasifikim me durrsakët.