AlbanianSport.com 22.02.2016 19:55
ASNN – Dy supersfidat e javës së 22-të të Kategorisë Superiore nuk kanë sjellë surpriza. Partizani ka mundur 1-0 Kukësin falë golit të realizuar nga Sukaj, ndërsa Skënderbeu ka fituar po 1-0 me Tiranën në Korçë. Korçarët ruajnë kryesimin me 52 pikë, të ndjekur nga Partizani me 48 pikë. Kështu, rezultatet e dy ndeshjeve kryesore të javës së 22-të të kategorisë superiore nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në renditje.
Partizani ka fituar 1-0 me Kukësin, ndeshje kjo që u luajt në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Ndeshja ka nisur me një ritëm mesatar nga ana e të dyja skuadrave, të cilat mundohen të përfitojnë nga gabimet e njëra-tjetrës për të shënuar. Por 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë nis me gol nga ana e Partizanit. Në të 49-ën minutë është Xhevahir Sukaj që kalon të kuqtë në epërsi. Pas një topi të ardhur në zonë, sulmuesi shkodran gjuan me kokë saktë duke e dërguar topin në rrjetë. Kukësianët mundohen të barazojnë por sulmet e tyre nuk arrijnë të finalizojnë dhe të kalojnë portën e mbrojtur nga Alban Hoxha.
Me këtë fitore Partizani ruan vendin e dytë me 48 pikë. Fitore ka arritur edhe Skënderbeu në Korçë ndaj Tiranës. Korçarët kanë fituar 1-0 ndaj bardhebluve dhe ruajnë vendin e parë në renditje me 52 pikë.