Përshtatur nga ABC News 20.12.2015 22:15
Nuk u luajt vetëm futboll në Korçë. Ndeshja më vendimtare e Kategorisë Superiore pati shumë më tepër se kaq, dhe gjyqtari e pati tepër të vështirë të përballonte një duel si ai i Skënderbeut me Partizanin. Përtej një goli të vetëm, shënuar nga i larguari i madh, Piter Olajinka, ndërhyrjet e rënda, kartonët, protestat dhe nervat dominuan në stadiumin e Korçës. Kulmi ishte ndërhyrja flagrante e Xhevahir Sukajt ndaj Renato Arapit. Në një sekuencë për librin e rekordeve “Gines”, sulmuesi shkodran qëndroi në fushë për më pak se një minutë.
I sapofutur nga trajneri Starova, goditi me grushte e shkelma mbrojtësin vendas, duke marrë logjikshëm kartonin e kuq. Çfarë mendimi kaloi në mendjen e tij në atë moment? Dyshimet janë të shumta, që nga nervat ndaj mosaktivizimit si titullar nga Starova, deri tek ndonjë ofendim i çastit, por vetëm Sukaj mund ta thotë të vërtetën, ose ta mbajë në ndërgjegjen e tij, ndërsa pritet çfarë vendimi do marrë Disiplina në Federatë, dhe çfarë qëndrimi do të ketë vetë klubi I Partizanit. Starova i tha disa fjalë pas ndeshjes. Më pak i rëndë veprimi që vijoi, ai në sherrin mes Bicit dhe Latifit.
Goditja me kokë në nofull nga vendasi, në aksion e sipër, u pasua nga një kapje për koke prej mbrojtësit të kuq, që e kishte një të verdhë dhe shpëtoi mirë nga përjashtimi. Vetë Bici pati një ndeshje nervoze, ndëshkuar me të verdhë që në fillim, ndërsa shpesh luajti deri në limitet e lejuara. Partizani e akuzoi gjyqtarin Andi Koçi dhe ndihmësit e tij për gjykim skandaloz. Kjo menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë. Pretendimi kryesor i kryeqytetasve ishte ky moment në zonën e Skënderbeut, kur Raçiç u rrëzua, në dyluftim me Vangjelin.
11-metërsh apo jo? Gjyqtari dha goditje dënimi për një faull jashtë zone, ndërsa është e vështirë të pohohet qartë nëse pati kontakt mes këmbës së Vangjelit dhe asaj të serbit, e cila preku edhe këmbën tjetër të tij përpara rrëzimit. Mosdhënia e 11-metërshit të pretenduar së pretenduar acaroi edhe tifozët e ardhur nga Tirana, të cilët thyen stola edhe në stadiumin e Korçës, pasi shkatërruan disa dhjetëra edhe në stadiumin e Tiranës, “Selman Stërmasi”. Gjyqtarët bënë edhe gabime, si në pozicionin jashtë loje dhënë pa të drejtë kundër Skënderbeut.
Ndërsa shpesh, “bilbilat” u treguan të kujdesshëm në veprimet brenda zonës. Starova, edhe pse jo drejtpërdrejt akuzues, dëshironte tjetër treshe gjykimi. Për trajnerin e vendasve, Mirel Josën, u kalua një ndeshje tepër e vështirë, aq sa ai u duk krejtësisht i rraskapitur ndërsa fliste. Skënderbeu triumfoi në një sfidë të ashpër, duke u ngjitur i vetëm në krye të kampionatit, në kërkim të titullit të gjashtë radhazi. Kjo, falë dhuratës së fundit të Peter Olajinkës, i cili u nda siç duhet nga tifozët e tij përpara ikjes për në Belgjikë.